Secondary Adv

Rrugët me pagesë: Qeveria planifikon tarifimin elektronik në segmentet me trafik të lartë

Shqipëria planifikon tarifimin elektronik në rrugët me trafik të lartë, me testimin e sistemit gjatë viteve 2030–2032.

Qeveria shqiptare planifikon zgjerimin e përdorimit të sistemeve elektronike të pagesës në infrastrukturën rrugore, duke u përqendruar fillimisht në segmentet me trafik më të lartë të rrjetit transevropian të transportit (TEN-T).


Strategjia Sektoriale e Transportit dhe Plani i Veprimit 2030 parashikojnë një fond prej 200 mijë eurosh për përgatitjen e kuadrit ligjor dhe teknik të tarifimit elektronik gjatë viteve 2028–2029, ndërsa testimi i sistemit në rrugë të përzgjedhura është programuar për periudhën 2030–2032. Nisma është pjesë e përpjekjeve për modernizimin dhe digjitalizimin e transportit rrugor, në përputhje me standardet dhe direktivat europiane.


Zbatimi i kësaj mase mund të prekë në të ardhmen drejtuesit e automjeteve private, si dhe operatorët e transportit të mallrave dhe pasagjerëve, në varësi të segmenteve rrugore që do të përfshihen në skemën e tarifimit.


Megjithatë, dokumenti strategjik nuk përcakton ende rrugët konkrete ku do të vendosen pagesat, vlerën e tarifave apo kategoritë e automjeteve që do t'u nënshtrohen atyre. Për rrjedhojë, në këtë fazë bëhet fjalë për përgatitjen e kushteve ligjore dhe teknike për një sistem të mundshëm tarifimi, jo për vendosjen e menjëhershme të pagesave të reja.


200 mijë euro për përgatitjen e sistemit elektronik të pagesave gjatë viteve 2028–2029

Sipas Strategjisë Sektoriale të Transportit dhe Planit të Veprimit 2030, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të jetë institucioni përgjegjës për hartimin e politikave dhe zhvillimin e arkitekturës ligjore e teknike të sistemit të tarifimit elektronik.


Ky proces do të realizohet në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, Autoritetin Rrugor Shqiptar, DPSHTRR-në dhe AKSHI-n. Për fazën përgatitore janë planifikuar 100 mijë euro gjatë vitit 2028 dhe 100 mijë euro të tjera në vitin 2029, duke e çuar fondin e përgjithshëm të parashikuar në 200 mijë euro.


Sistemi synohet të zhvillohet në përputhje me Direktivën europiane Eurovignette, e cila rregullon tarifimin e përdorimit të infrastrukturës rrugore për kategori të caktuara automjetesh. Gjithashtu, parashikohet përafrimi me Shërbimin Evropian Elektronik të Tarifimit Rrugor (EETS), që synon ndërveprimin e sistemeve elektronike të pagesës ndërmjet vendeve. Kjo do të krijonte bazën teknike dhe ligjore për përdorimin e sistemeve të tarifimit elektronik sipas standardeve europiane.


Pilotimi në rrugët me trafik të lartë gjatë viteve 2030–2032, ende pa kosto të përcaktuar

Pas përfundimit të fazës përgatitore, strategjia parashikon kalimin në testimin praktik të tarifimit elektronik në segmente të përzgjedhura të rrjetit TEN-T. Sipas Planit të Veprimit, pilotimi do të zhvillohet gjatë periudhës 2030–2032, duke u dhënë përparësi rrugëve që regjistrojnë fluks më të lartë automjetesh. Autoriteti Rrugor Shqiptar do të jetë institucioni përgjegjës për realizimin e kësaj faze, në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.


Ndryshe nga faza e përgatitjes së kuadrit ligjor dhe teknik, për të cilën është përcaktuar një fond prej 200 mijë eurosh, pilotimi i sistemit elektronik të tarifimit nuk ka ende një kosto të specifikuar në dokumentin strategjik. Strategjia përcakton gjithashtu se infrastruktura dhe sistemet përkatëse duhet të jenë plotësisht të përgatitura përpara nisjes së testimit. Kjo nënkupton se plani aktual nuk vendos ende tarifa të reja për ndonjë segment konkret rrugor, por përcakton hapat që duhet të ndiqen për të mundësuar aplikimin e tyre në të ardhmen.


Tarifimi elektronik pjesë e digjitalizimit të transportit dhe sistemeve inteligjente rrugore

Vendosja e mundshme e tarifimit elektronik është pjesë e një programi më të gjerë për digjitalizimin dhe modernizimin e transportit rrugor në Shqipëri. Strategjia synon që sistemi i pagesave, në segmentet ku do të zbatohet, të integrohet me sistemet e menaxhimit të trafikut, informacionin në kohë reale dhe platformat kombëtare të transportit. Ky integrim parashikohet të krijojë një infrastrukturë teknologjike të përbashkët për administrimin e qarkullimit dhe shërbimeve rrugore.


Dokumenti parashikon gjithashtu zgjerimin e sistemeve inteligjente të transportit përgjatë rrjetit TEN-T, përmes instalimit të kamerave, sensorëve dhe sistemeve elektronike të informacionit për drejtuesit e automjeteve. Këto teknologji synojnë të mbështesin monitorimin dhe menaxhimin e trafikut, si dhe shpërndarjen e informacionit për përdoruesit e rrugëve. Në këtë kuadër, tarifimi elektronik konsiderohet një nga komponentët e modernizimit të infrastrukturës rrugore, ndërsa përcaktimi i segmenteve që do të tarifohen, kategorive të automjeteve dhe vlerës së pagesave mbetet për fazat e mëvonshme të zbatimit të strategjisë.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat